Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar në Tiranë, në afërsi të zonës së njohur si “Ura e Peshkatarit”. Një 56-vjeçar, i cili po drejtonte një autobus, ka përplasur një këmbësor, shtetasin Z. I., 46 vjeç, i cili ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Drejtuesi i mjetit është arrestuar nga Policia Rrugore dhe materialet janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Në njoftimin zyrtar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë trajtuar edhe një sërë rastesh të tjera penale. Specialistët e komisariateve të ndryshme kanë referuar në Prokurori disa shtetas për dhunë fizike dhe psikologjike në familje, konflikte për motive të dobëta, kanosje dhe vjedhje.
Po ashtu, Policia Rrugore ka arrestuar disa drejtues mjetesh për shkelje të rënda të Kodit Rrugor, përfshirë drejtim automjeti pa leje dhe në gjendje të dehur, si edhe për përfshirje në aksidente me pasoja.
Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar edhe ngjarje të tjera, përfshirë gjetjen e dy shtetasve pa shenja jete, një rast që dyshohet për vetëvarje dhe një tjetër që rezultoi nga shkaqe natyrale, si edhe një incident zjarri në një banesë, për të cilin po hetohen shkaqet.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë


