Partia Demokratike dhe koalicioni PD–Aleanca për Demokraci dhe Shtet Mbarë (ADSHM) i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke kërkuar transparencë për procesin zgjedhor të 11 majit. Në dokumentin e dorëzuar më 4 korrik dhe protokolluar zyrtarisht, PD i kërkon KQZ-së vënien në dispozicion të pamjeve filmike nga të gjitha qendrat e votimit në vend.
Po ashtu, në kërkesë përfshihet edhe informacioni mbi mënyrën se si janë kthyer zarfet me votat e diasporës – nëse janë dorëzuar personalisht apo jashtë kanaleve të postës zyrtare DHL, siç është përcaktuar në rregullore.
Në dokumentin e nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franc Nuri, thuhet se Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, jo vetëm që nuk ka vënë në dispozicion materialet e kërkuara, por në disa raste pamjet filmike janë të prera në pjesë kritike të procesit, ku sipas PD-së, qëllimisht mungojnë momente nga votimi.
Kërkesa është dërguar gjithashtu për dijeni të misionit vëzhgues të OSBE–ODIHR, duke shtuar presionin ndaj autoriteteve zgjedhore për më shumë transparencë.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, që prej përfundimit të zgjedhjeve ka përsëritur publikisht se “11 maji ishte një farsë elektorale”, ndërsa opozita ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët institucionale për të kundërshtuar rezultatin.


