Të hënën, Kuvendi do të zhvillojë seancën plenare, ku në rendin e ditës janë përfshirë edhe raportimet e disa institucioneve të pavarura kushtetuese.
Në prag të seancës, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i ka dërguar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar “shmangien e çdo provokimi ndaj opozitës” dhe garantimin e kohës së dakordësuar për debat.
Sipas Bardhit, për çdo raportim është parashikuar një kohëzgjatje prej 150 minutash, e cila duhet t’u lejojë deputetëve të opozitës të parashtrojnë pyetjet dhe qëndrimet e tyre, “në përputhje me nenin 103 të Rregullores së Kuvendit dhe me praktikën parlamentare 34-vjeçare”.
Në letër, PD paralajmëron se çdo ndryshim i njëanshëm i këtyre të drejtave apo interpretim arbitrar i Rregullores do të konsiderohet si “cenim i parimeve të parlamentarizmit dhe kufizim i padrejtë i të drejtave të opozitës parlamentare”.
“Në ushtrim të përgjegjësive tuaja, ju kërkojmë të ndërmerrni masa për normalizimin e jetës parlamentare dhe të ndaloni menjëherë çdo akt provokues ndaj opozitës, duke garantuar një sjellje konstruktive e dinjitoze në punimet e Kuvendit të Shqipërisë,” – thuhet në fund të shkresës së PD-së.


