I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, është rikthyer në qelinë e tij në burgun 313, pasi mjekët e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” konfirmuan se nuk ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Mësohet se dëshmitari i mbrojtur që ka hapur 11 dosje në SPAK kundër krimit të organizuar, iu nënshtrua një sërë analizash në urgjencë dhe kardiokirurgji, por rezultatet nuk përcaktuan një diagnozë të qartë mbi problemet e tij shëndetësore.
Sipas të njëjtave burime, shqetësimet e raportuara – si rrahje të shpejta zemre dhe humbje të vetëdijes – mund të lidhen me stresin, ushqimin dhe mungesën e aktivitetit fizik. Ky është rasti i dytë që Dumani përjeton episode të ngjashme, ndërsa më herët mjekët e burgut kishin rekomanduar kontrolle më të specializuara.
Drejtoria e Burgjeve thekson se ushqimi i të penduarit është i kontrolluar dhe i dërguar nga familjarët, ndërkohë që Instituti i Mjekësisë Ligjore ka hedhur poshtë dyshimet për helmim.
Aktualisht, Dumani mbahet i izoluar nën masa të rrepta sigurie në qelitë e posaçme të burgut 313, të cilat më parë kanë shërbyer për të paraburgosurit e “41 bis”-it, por tashmë janë përshtatur për të penduarit e SPAK.
Radar.al


