Paraguaji do ta festojë me një ditë pushimi kombëtar kualifikimin historik në 1/8-at e finales së Botërorit 2026, pasi mposhti Gjermaninë me penallti në një nga surprizat më të mëdha të turneut.
Presidenti Santiago Peña shpalli festë kombëtare për të martën, menjëherë pas suksesit të ekipit kombëtar, i cili eliminoi Gjermaninë me rezultatin 4-3 pas goditjeve nga pika e bardhë, ndërsa koha e rregullt dhe shtesa përfunduan në barazim 1-1.
Në një reagim në rrjetin social X, kreu i shtetit publikoi dekretin për ditën e pushimit dhe shkroi se “sot, i gjithë vendi po feston”.
“Po festohet fitorja e një ekipi kombëtar që mishëron vetë thelbin e identitetit tonë: shpirtin luftarak, besimin dhe forcën e një populli që nuk dorëzohet kurrë”, u shpreh Peña.
Presidenti publikoi gjithashtu një fotografi ku shfaqet duke firmosur dekretin i veshur me fanellën e kombëtares së Paraguajit, ndërsa falënderoi futbollistët për “gëzimin e madh” që i dhuruan vendit.
Kjo është pjesëmarrja e parë e Paraguajit në Kupën e Botës që nga viti 2010, ndërsa kualifikimi në fazën tjetër konsiderohet një arritje historike për futbollin e vendit.
Në raundin e ardhshëm, Paraguaji do të përballet me fituesin e çiftit Francë–Suedi për një vend në çerekfinalet e Botërorit 2026.


