Në fshatin Rakinicë të Podujevës, ushtarë të xhandarmërisë serbe kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në territorin e Kosovës, sipas pamjeve të xhiruara nga banorët. Incidenti ndodhi më 15 tetor dhe vjen pas disa raportimeve për kalime të forcave serbe në veri të vendit, përfshirë rastin e kidnapimit të një qytetari.
Derisa Policia e Kosovës nuk ka dhënë një reagim zyrtar dhe televizioni ka prit për verifikim që nga 20 tetori, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka konfirmuar ngjarjen. “Ne jemi në dijeni të kësaj ngjarjeje më 15 tetor. Personeli i xhandarmërisë serbe po ndiqte individë të përfshirë në aktivitete të paligjshme të prerjes së pyjeve. Sapo kuptuan se kishin kaluar Vijën Kufitare Administrative, ata u kthyen menjëherë në anën e Serbisë,” tha KFOR-i.
Banorët e zonës, të cilët xhiruan incidentin, konfirmuan se ushtarët serbë konfiskuan edhe një traktor dhe i ofenduan gjatë ballafaqimit.
Televizioni ka kërkuar reagime edhe nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e sigurisë, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje. Policia e Kosovës mbetet reaguesi i parë i sigurisë në vend, ndërsa KFOR-i ka përgjegjësi për mbikëqyrjen e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.


