Një grup eurodeputetësh ka kërkuar nisjen e një hetimi ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, për të verifikuar nëse administrata e presidentit amerikan Donald Trump ushtroi ndikim në vendimin për anulimin e pezullimit të sulmuesit amerikan Folarin Balogun pas kartonit të kuq.
Balogun u aktivizua në ndeshjen e fazës së 1/16-ave të Kupës së Botës, ku Shtetet e Bashkuara u eliminuan nga Belgjika me rezultatin 4-1.
Sipas një letre që po qarkullon në Parlamentin Europian dhe që është siguruar nga Euronews, eurodeputetët u bëjnë thirrje 27 federatave të futbollit të vendeve anëtare të Bashkimit Europian t’i kërkojnë zyrtarisht FIFA-s hapjen e një hetimi mbi procedurën që çoi në anulimin e pezullimit të Balogun.
“Besojmë se ka ardhur koha që federatat europiane të futbollit, të gjitha anëtare të FIFA-s, të ndërhyjnë dhe të kërkojnë një hetim mbi mënyrën se si u mor ky vendim”, thuhet në dokument.
Njëri prej iniciatorëve të letrës, eurodeputeti irlandez Barry Andrews, deklaroi për Euronews se “edhe një herë Gianni Infantino dhe FIFA iu nënshtruan kërkesave të administratës Trump”, duke e cilësuar vendimin “një turp dhe një shtrembërim të drejtësisë”.
Balogun u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e SHBA-ve ndaj Bosnje-Hercegovinës javën e kaluar. Sipas rregullores, një karton i kuq sjell automatikisht pezullimin për një ndeshje, çka do ta linte sulmuesin jashtë sfidës vendimtare ndaj Belgjikës.
Presidenti amerikan Donald Trump pranoi më pas se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për të diskutuar kartonin e kuq të Balogun, të cilin e cilësoi të padrejtë. Megjithatë, ai mohoi të ketë ushtruar presion apo të ketë kërkuar trajtim të favorshëm.
Më vonë, FIFA vendosi të pezullojë zbatimin e dënimit, duke përdorur një mekanizëm ligjor që, sipas raportimeve, nuk ishte aplikuar më parë në një Kupë Bote që prej futjes së kartonëve të kuq.
Trump falënderoi publikisht Infantinon për atë që e quajti “korrigjimin e një padrejtësie të madhe”, ndërsa kreu i FIFA-s deklaroi se gjatë bisedës me presidentin amerikan i kishte bërë të qartë se organi disiplinor i federatës është i pavarur dhe merr vendime në mënyrë autonome.
Vendimi ka nxitur reagime të forta në Europë.
UEFA e cilësoi atë “të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Belge e Futbollit ka depozituar një ankesë zyrtare, duke vënë në pikëpyetje të drejtën e Balogun për të luajtur në ndeshjen ndaj Belgjikës.
Edhe Komisioneri Europian për Sportin, Glenn Micallef, e konsideroi anulimin e pezullimit “një vendim të gabuar”.
Ndërkohë, William Gaillard, ish-drejtor për Komunikimin dhe Çështjet Publike në UEFA, deklaroi për Euronews se vendimi “bie tërësisht ndesh me rregullat dhe statutin e FIFA-s”, duke e cilësuar atë “një skandal”.
Letra është iniciuar nga eurodeputetët Barry Andrews (Renew Europe), Lara Wolters dhe Niels Fuglsang (Socialistët dhe Demokratët) dhe aktualisht po mbledh nënshkrime deri në afatin e përcaktuar.
Përmes saj, nënshkruesit kërkojnë që federatat europiane të sigurojnë mbajtjen përgjegjëse të drejtuesve të lartë të FIFA-s, në rast se provohet se kanë shkelur parimin e neutralitetit politik.
Eurodeputetët rikujtojnë gjithashtu një tjetër nismë të mëparshme, të mbështetur nga 50 anëtarë të Parlamentit Europian, ku kërkohej hetim për vendimin e FIFA-s për t’i akorduar presidentit Donald Trump Çmimin e Paqes të FIFA-s.


