Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale lidhur me koncertin e artistit Kanye West, i cili do të zhvillohet më 11 korrik në Tiranë. Rama u ndal te akuzat për financimin e këtij eventi, duke i cilësuar ato si shpifje të fabrikuara për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë.
Sipas kryeministrit, kundërshtarë politikë dhe zëra kritikë po përpiqen ta paraqesin koncertin si një shpenzim të pajustifikuar të fondeve publike.
“Dështakzemërakët e bashkuar, për ta kthyer në kos për urinë e tyre për pushtet e për lavdi, rrjedhën e pastër të ujit të protestës së flamingove, i janë turrur deri edhe koncertit unikal të Kanye West”, tha Rama.
Ai akuzoi disa figura politike dhe grupe kundërshtare se po përdorin shpifje, manipulime dhe sulme në rrjetet sociale për të dëmtuar çdo nismë që, sipas tij, i shërben promovimit të Shqipërisë.
Rama iu referua veçanërisht pretendimeve se shteti ka financuar me 50 milionë euro koncertin e artistit amerikan.
“Ja ku janë, 50 milionë eurot që paska dhënë ministri ynë për një natë koncert, ndërsa spitalet s’paskan ilaçe”, tha kryeministri, duke e cilësuar këtë pretendim një gënjeshtër të sajuar.
Kryeministri theksoi se koncerti i Kanye West do të financohet nga sponsorët dhe të ardhurat nga shitja e biletave, duke shtuar se ndërhyrja e shtetit ka qenë vetëm për të garantuar zhvillimin e eventit.
Megjithatë, ai bëri të ditur se në një moment të fundit është ndërhyrë me 4 milionë euro për të shmangur anulimin e koncertit.
“U detyruam dhe tani shikoni si vazhdon gënjeshtra bishtakrep. Shuma që dhamë ishte 4 dhe jo 50 milionë euro, për një aktivitet të organizuar krejtësisht privatisht, i cili do t’i kthejë ekonomisë së kryeqytetit shumëfishin e kësaj shume”, tha Rama.
Reagimi i plotë:
Përshëndetje nga unë!
Dështakzemërakët e bashkuar, për ta kthyer në kos për urinë e tyre për pushtet e për lavdi, rrjedhën e pastër të ujit të protestës së flamingove, i janë turrur deri edhe koncertit unikal të Kanye Ëest.
Ish-a që u larguan nga detyra të larta me shumë zemërim e pa lavdi; humbësa që hynë në zgjedhje si zgalema e dolën nga zgjedhjet si kalastrena; turlilloj foltoristash të rizhgënjyer, pëdëistash të rigënjyer, arqimarksistash të rrjetëzuar, islamistash të tiktokëzuar, shkelësa ligji të frymëzuar, janë bërë bashkë si një kore e zezë e protestës dhe nuk ndalen në ndotjen e kanaleve sociale, me shpifje, falsifikime, manipulime, sharje pa pushim, urrejtje për t ushqyer urrejte, verbëri për të ushqyer verbëri, ndaj kujtdo që e shikojnë si pengesë e gjithckaje që i penogn ta shikojnë veten në një karrige.
*
Ja ku janë, 50 milionë eurot që paska dhënë ministri ynë për një natë koncert, ndërsa spitalet s’paskan ilaçe.
*
A e dëgjuat!
Një gënjeshtër me bisht, me bisht akrepi madje, e sajuar për të pickuar e për të helmuar mendjen e kujtdo që përjeton me konfuzion këtë çorodi. “Ja ku janë 50 milionë eurot… vetëm për një natë koncert!”, thotë ai.
Librat e shenjtë na mësojnë prej mijrëa vitesh se shpifësi është më i keq se vrasësi. Kurani e dënon kaq rëndë shpifjen, sepse shpifja nuk vret vetëm një njeri; ajo minon vetë themelet e besimit mes njerëzve. Fjala është amanet, fjala nuk mund të bëhet lanet dhe shpifësi e bën lanet, sepse shpifësi nuk ndërton asgjë, po jeton për të rrënuar atë që ndërtojnë të tjerët. Shpifësi e përbuz të vërtetën, sepse ai gërrmon vetëm në kërkim të grropës ku të ekzekutojë dënimin pa gjyq.
Punon për diskreditimin, shkatërrimin, përbaltjen, dhe asgjësimin moral të të tjerëve.
“50 milionë euro ka dhënë shteti për Kenin e Nestit”, shkruan ky humorist pa din e pa iman nën video-shpifjen e tij.
Ndërkohë, koncerti i Kanye Ëest është një ngjarje botërore, i cili do të financohet tërësisht nga sponsorat dhe shitja e biletave, sikur soji i këtij karagjozit, të mos i kishte mbushur faqet sociale me glasat e apeleve për bojkotimin e koncertit, për transformimin e koncertit në protestë, duke i trembur dashamirët e muzikës së Kanye Ëestit dhe faktikisht duke dekurajuar shitjen e biletave të koncertit madhështor?
Po si është e vërteta?
E vërteta është si gjithnjë e thjeshtë dhe e ilustrueshme me dokumenta.
Që në fillim ne kemi firmosur vetëm një letër gatishmërie si mikpritës, ku kemi garantuar përvec mikpritjes sigurisht, siguri dhe mbështetje logjistike, duke theksuar se nuk marrim përsipër asnjë angazhim financiar. Asnjë angazhim financiar!
Por si i bëhet kur je i detyruar “in extremis”, të ndërhysh siç bëmë faktikisht vetëm mbrëmë, me 4 milionë euro, për të mos lejuar anulimin e një koncerti të shumëpritur dhe turpërimin e Shqipërisë, në rradhë të parë para atyre dhjetëra mijëra blerësve të huaj të biletave, të cilët janë më shumë sesa tifozët e huaj që erdhën në Tiranë për finalen e Conference League.
Përfitimet nga ajo ngjarje ndërkombëtare sporti ishin të jashtëzakonshme dhe të jashtëzakonshme do të jenë edhe përfitimet nga kjo ngjarje ndërkombëtare muzike.
Edhe pse për hir të vërtetës do të preferonim të mos paguanim asnjë qindarkë deri në fund, shuma që dhamë për një aktivitet, pra 4 dhe jo 50 dhe të organizuar krejtësisht privatisht, i cili do t’i kthejë ekonomisë së kryeqytetit shumëfishin e kësaj shume, dhjetëra mijëra konsumatorë të huaj, pa llogaritur vlerën e reklamimit global të emrit të Shqipërisë në një nga komunitetet më të mëdha kulturore të botës, është një shumë mëse e arsyeshme. Mund ta kishim dhënë dhe qysh në krye të herës po të ishte nevoja, por u detyruam dhe tani shikoni si vazhdon gënjeshtra bishtakrep!
*
“Gjithë kjo fushë këtu, ka qenë gjithë gjelbërim.”
*
Aty ka qenë vetëm një fushë ferrash, ku organizatorët identifikuan vendin më të përshtatshëm, në mungesë të një stadiumi me kapacitet të madh, për të ngritur stadiumin 60 mijë spektatorësh. Po nuk është aspak rastësi që ky shpifarak i mbushur me helm, është një llapaqorr i partisë “Shqipëria Bëhet”.
Shqipëria Bëhet, me shpifje. O Burra!
“Lëvizim Bashkë”… me shpifje. O burra!
“Shpifja është një Mundësi.” O burra tek mundësia!
Shpif, shpif, se diçka do të mbetet. Patjetër do të mbetet.
Shikojeni tani “gjelbërimin”.
“Kush e di se çfarë do të bëhet pas kësaj?”
“Kushedi se çfarë do të bëhet më pas”, çfarë t’i thuash këtij sallahani, po shyqyr nuk tha se u rrafshua pylli që të ndërtohet një thertore flamengosh, pas shpinës së Kanye Ëest.
Edhe thonë pastaj për çfarë del në protestë…
*
Jo, jo. Unë jo, nuk them kurrë për çfarë del në protestë ajo nëna e shokut tim që u përplas për kohë të tëra me një papërgjegjshmëri të një mjeku.
Nuk them kurrë për çfarë del në protestë ai djalë apo ajo vajzë që e duan sinqerisht natyrën dhe janë të frikësuar se zhvillimi mund të dëmtojë natyrën. Mund të dëmtojë biodiversitetin.
Nuk them kurrë unë për çfarë del në protestë kushdo që ka një hall, një shqetësim, një padrejtësi për të kundërshtuar apo që ka një shpresë për të ushqyer.
Nuk them sepse e di qe ata njerëz nuk i bashkon etja për pushtet. Nuk i bashkon dëshira për karrige o rash e vdiqa. Nuk i bashkon urrejtja që hajde ta kthejmë përmbys gjithçka. I bashkon shqetësimi.
Dhe pikërisht pse i respektoj arsyet e tyre, unë nuk i shoh dot të merren peng nga korbat e shpifjes, nga sorrat e manipulimit dhe nga parti e partiçka që nuk kanë asnjë projekt për Shqipërinë, por kanë vetëm ngulmimin për të rrëzuar gjithçka. Me shpifje, me sharje, me kërcënime, me forcë e ku të munden edhe me dhunë duke shfrytëzuar shpejtësinë çmendurake të algoritmit.
Shpifjet nuk kanë ndërtuar kurrë asgjë, përveç mureve të dasisë dhe mosbesimit mes njerëzve dhe në këtë vend patjetër që mund të gjesh jo një, jo njëqind, por një mijë arsye për të protestuar. Është normale në çdo vend, është normale në çdo vend.
Historia na e ka mësuar se sa më shumë përparon një shoqëri, aq më pak ajo i toleron problemet që kërkojnë zgjidhe dhe kjo është shenjë lirie reale dhe demokracie të gjallë.
Problemi nuk është ushtrimi i lirisë së protestës. Nuk është as gjallërimi demokratik i shoqërisë përmes protestës. Problemi është kur protesta ushqehet me shpifje, me dezinformim dhe me manipulim dhe kur kthehet në një mjet për ta kthyer vendin mbrapa. Prandaj problemi nuk janë flamingot. Problemi janë sorrat dhe korbat!


