Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Houston, Teksas, ku një studente britanike e infermierisë, vetëm pak ditë para përfundimit të studimeve, u gjet e vrarë me thikë në apartamentin e saj. Viktima është Elizabeth Tamilore Odunsi, 23 vjeç, e cila kishte ardhur nga Britania për të studiuar në SHBA dhe ishte e njohur edhe në rrjetin TikTok me emrin Tamidollars, ku ndante përvojat e saj si studente ndërkombëtare me mbi 30 mijë ndjekës.

Sipas policisë së Hjustonit, Odunsi u gjet më 26 prill me plagë të shumta thike. Në një dhomë tjetër të apartamentit, oficerët gjetën një burrë të plagosur rëndë, i cili u dërgua në spital në gjendje kritike. Deri tani, nuk ka detaje zyrtare për identitetin e tij apo për përfshirjen e mundshme në ngjarje.
Postimi i saj i fundit në TikTok, më 21 prill, e tregonte entuziaste për diplomimin që e priste pas dy javësh dhe për një udhëtim të planifikuar. E reja e cila kishte ndjekur një rrugëtim të gjatë akademik, duket se ishte pranë realizimit të ëndrrës së saj – një ëndërr që u ndërpre në mënyrë të tmerrshme.
Motivi i krimit dhe autori mbeten të panjohur, ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Ndërkohë, një fushatë online për të riatdhesuar trupin e saj në Mbretërinë e Bashkuar ka mbledhur mbi 44,000 paund.


