Kryeministri Edi Rama ka zbuluar disa nga pikat kryesore të Buxhetit 2026, duke theksuar se viti i ardhshëm do të sjellë një tjetër rritje të pagave në sektorin publik dhe privat.
“Do të vazhdojnë të rriten të gjitha pagat për punonjësit e shtetit. Rritja e pagës minimale sjell automatikisht rritje të pagave edhe në sektorin privat. Edhe pse mund të duket e vogël, është e sigurt dhe e qëndrueshme,” – deklaroi Rama.
Sipas tij, përfitues kryesorë do të jenë punonjësit e shëndetësisë, mësuesit dhe punonjësit e policisë, të cilët “kanë pasur disa problematika që tashmë marrin zgjidhje të plotë”, pasi do të përfitojnë vjetërsinë në punë, që përkthehet në një shtesë rreth +50 euro në gradat e ulëta, pa përfshirë bonuset e tjera.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu rëndësinë e denoncimit të abuzimeve në sektorin privat, duke garantuar mbrojtje ligjore për çdo punonjës që raportojnë shkelje:
“Shteti nuk mund të ndjekë çdo punëdhënës për të zbuluar kush bën hile në tatime apo sigurime. Punonjësit duhet ta denoncojnë. Në ligj është përcaktuar qartë: kush bën një denoncim të tillë është i paprekshëm – askush nuk mund ta largojë nga puna.”
Në thelb, Buxheti 2026 synon të ruajë ritmin e rritjes së të ardhurave për punonjësit e administratës dhe të nxisë formalizimin e pagave në sektorin privat, duke garantuar një shpërndarje më të drejtë të të ardhurave në të gjithë tregun e punës.


