Bashkia e Tiranës i është drejtuar me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke kërkuar orientim ligjor lidhur me pagesën mujore të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Sipas shkresës, që prej datës 11 shkurt 2025, gjatë periudhës kur Veliaj ndodhet nën masën e arrestit me burg të vendosur nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nuk është kryer asnjë pagesë mujore për të.
Bashkia thekson se, megjithëse një vendim i Gjykatës Kushtetuese i 3 nëntorit 2025 shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt si kryetar bashkie, duke e rikthyer atë në detyrë, nuk ka pasur një procedurë të qartë për kalimin e pagës së tij gjatë periudhës së arrestit.
Në shkresë përmenden rregullat standarde të Udhëzimit Nr. 30, datë 27.12.2011, për menaxhimin e pagave në sektorin publik, sipas të cilave e drejta për pagë duhet të “vërtetohet me dokumente të miratuara me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi”. Bashkia kërkon nga KQZ që të sqarojë se cilat janë këto akte dhe si duhet aplikuar procedura për kryetarin e bashkisë.
Në dokument, Bashkia thekson se situata e krijuar vështirëson trajtimin e pagesës dhe kërkon udhëzime të qarta për të siguruar zbatimin korrekt të ligjit.
“Të nderuar, Ju drejtohemi për të kërkuar interpretim ligjor lidhur me shlyerjen e pagesës mujore për Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Z. Erion Veliaj.
Referuar Vendimit Nr.7 Akti, datë 09.02.2025, Vendimit Nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si dhe Vendimit Nr. 13 (87-2025-85) datë 13.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kryetari ndodhet në masën shtrënguese “Arrest me Burg”.
Nga data 11.02.2025 e në vazhdim, periudhë gjatë së cilës masa shtrënguese ka qenë në fuqi, nga ana e Bashkisë Tiranë nuk është kryer asnjë pagesë mujore për Z. Veliaj.
Referuar Vendimit datë 03.11.2025 të Gjykatës Kushtetuese me anë të së cilës është shfuqizuar Vendimi Nr.539 datë 25.09.2025 i Këshillit të Ministrave “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë Z. Erion Veliaj” si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Z. Veliaj vazhdon të jetë Kryetar i Bashkisë, i zgjedhur nga zgjedhjet vendore të vitit 2023.
Procedura standarde e pagesës së pagave mujore për të punësuarit pranë Bashkisë Tiranë, zbatohet referuar Udhëzimit Nr. 30, datë 27.12.2011 “Për Menaxhimin e Aktiveve në Njësitë e Sektorit Publik” (i ndryshuar), pika 69, pika 70 dhe 71 në të cilat shprehimisht citohet:
-Listëpagesat plotësohen nga punonjësi i caktuar për pagat, duke u mbështetur në të dhënat e dokumentacionit bazë (listëprezenca e firmosur nga menaxheri i strukturës përkatëse) për shërbimin e kryer. Ato kontrollohen dhe nënshkruhen nga punonjësi i caktuar me menaxhimin e burimeve njerëzore dhe nëpunësi zbatues ose i deleguari i tij.
-Përmbledhja e listëpagesave, e cila shoqëron urdhrin për shpenzimin e pagave, duhet të nënshkruhet nga nëpunësi zbatues dhe nga nëpunësi autorizues ose i deleguari i tij.
-Të dhënat për të përcaktuar të drejtën e punonjësit për pagë, kur ai nuk punon për shkak ndërprerjeje në punë jo për fajin e tij, të lejes së zakonshme, të pjesëmarrjes në kurse trajnimi, për paaftësi të përkohshme në punë, për kryerjen e detyrave të tjera shtetërore ose shoqërore, vërtetohen me dokumente të miratuara me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi”…
Për sa më sipër, të ndodhur në këto kushte, të cilat vështirësojnë trajtimin nga ana jonë si dhe bazuar në rolin tuaj, kërkojmë udhëzim në interpretimin e togfjalëshit “vërtetohen me dokumente të miratuara me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi” në pikën 71 të këtij udhëzimi, duke na orientuar se cilat janë këto akte ligjore dhe nënligjore mbi të cilat bazohet e drejta e të zgjedhurit për pagë”, thuhet në shkresën zyrtare.



