Ali Larijani, këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, ka paralajmëruar se një veprim ushtarak kundër Republikës Islamike do ta shtynte Teheranin që të zhvillonte armë bërthamore. Ndërkaq, Franca ka ndezur alarmin për programin bërthamor të Iranit, duke paralajmëruar se nëse nuk ka një marrëveshje deri në muajin tetor, konfrontimi ushtarak do të jetë “pothuajse i pashmangshëm”.
Problemi kryesor
Larijani, këshilltar i lartë i liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, tha më 1 prill se Shtetet e Bashkuara ose duhet t’i qasen Iranit si një partner ekonomik ose ta trajtojnë si një armik.
“Ata mund të flasin për përfitime ekonomike dhe të kenë një bashkëpunim fer me Iranin për çështje ekonomike nga të cilat përfitojnë të dyja palët”, tha ai gjatë një interviste televizive.
Por, Larijani, ish-kryetar i parlamentit dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare, shtoi se kërcënimet ushtarake kundër Iranit vetëm sa do të përkeqësojnë situatën.
“Nëse Amerika apo Izraeli e sulmojnë Iranin nën pretekstin e çështjeve bërthamore, Irani mund të lëvizë drejt krijimit të një bombe bërthamore”, tha ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar se do ta bombardojë Iranin nëse nuk ka marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015, mes Teheranit dhe fuqive botërore, nga e cila Trump u tërhoq më 2018, është paraparë të skadojë në tetor. Kur marrëveshja të skadojë, fuqitë botërore nuk do të jenë në gjendje më që të rivendosin sanksione të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.
Duke e pranuar këtë fakt, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, gjatë një adresimi para Parlamentit më 2 prill paralajmëroi se në mungesë të një marrëveshjeje të re, “konfrontimi ushtarak duket pothuajse i pashmangshëm”.
Irani ka refuzuar propozimin e Trumpit për bisedime të drejtpërdrejta, duke thënë se do të pajtohej për bisedime indirekte nëse presidenti i SHBA-së heq dorë nga fushata e tij e “presionit maksimal”. Megjithatë, Trump pretendoi më 3 prill se ai mendon që Irani e ka ndryshuar qëndrimin e tij. Por, më 6 prill Ministria e Jashtme iraniane përsëriti po të njëjtin refuzim për bisedime të drejtpërdrejta.
Barrot tha se “prioriteti ynë” është që të arrihet një marrëveshje “që kufizon në mënyrë të qëndrueshme” programin bërthamor të Iranit dhe që një kufizim i tillë të mund të mbikëqyret./REL