Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese javën e ardhshme, nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet edhe këtë fundjavë – përpjekja e 48-të që rezulton pa sukses pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Jemi duke përgatitur lëndën për Kushtetuese. Nëse nuk ka marrëveshje që sjell konstituim të institucioneve, do të veprojmë në fillim të javës”, deklaroi Osmani, duke shtuar se nuk dihet sa kohë do t’i duhet Gjykatës për përgjigje.
Presidentja theksoi se nuk i lejohet të negociojë për formimin e koalicioneve, ndërsa rikujtoi se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit është 26 korriku – një datë që në rast mosrespektimi duhet të ketë “pasoja juridike”, pa specifikuar më tej.
Ndërkohë, partitë politike mbeten të palëkundura në pozicionet e tyre dhe vijojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për bllokimin. Shpresat e fundit mbështeten në një takim të mundshëm mes Fatmir Limajt dhe Albin Kurtit, që mund të zhvillohet gjatë fundjavës.
Deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, deklaroi se Limaj mund të jetë kandidat për kryetar Kuvendi, duke e cilësuar si figurën që “po del mbi egot personale e partiake”.
Bllokada aktuale buron nga mosmarrëveshjet mbi mënyrën e votimit. PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe kundërshtojnë propozimin për formim të një komisioni për votim të fshehtë, duke e quajtur të paligjshme ndërhyrjen e kryesuesit të seancës, Avni Dehari.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje kërkon që për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare të votohet fshehur vetëm një herë, dhe nëse nuk merr 61 votat e nevojshme, ajo të tërhiqet. Deri tani, ajo ka dështuar të marrë mbështetjen përmes votimeve të hapura, ndërsa disa parti e konsiderojnë figurë përçarëse.


