TIRANË– Misioni i OSBE/ODIHR ka publikuar raporton final për zgjedhjet e 11 Majit në Shqipëri, ku ndër të tjera theksohet se u zhvilluan në një ambient politik shumë të polarizuar, ku kandidatët nuk gëzuan një terren të barabartë.
Në raport bëhet me dije se pavarësisht që kandidatët patën mundësi të bëjnë fushatë lirshëm, disa prej tyre u përballën me intimidime.
Një nga problemet më të theksuara mbetet përdorimi i gjerë i burimeve administrative nga partia në pushtet gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë.
Gjithashtu, raportohet për presione mbi votuesit, sidomos ndaj punonjësve të administratës publike. Ligji zgjedhor dhe interpretimi i ngushtë i tij nga autoritetet nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të parandaluar praktikat abuzive. Mekanizmi i ri i koordinimit mes institucioneve për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve zgjedhore u cilësua si një hap pozitiv, por duhet një angazhim më i madh për të adresuar shqetësimet e vazhdueshme për keqpërdorime zgjedhore.
Disa prej rekomandimeve
Reformë gjithëpërfshirëse e kuadrit ligjor zgjedhor – ODIHR thekson nevojën për reformë të plotë ligjore me konsultime të hapura para zgjedhjeve të ardhshme, për të eliminuar paqartësitë dhe për të garantuar transparencë dhe drejtësi. Depolitizimi i administratës zgjedhore – Sugjerohet të shmangen emërimet dhe zëvendësimet arbitrare të anëtarëve të komisioneve në nivelet më të ulëta, duke siguruar trajnime adekuate për stafin zgjedhor.
Forcimi i kapaciteteve të ekipeve të numërimit të votave – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të zhvillojë trajnime standarde dhe materiale të thjeshta për procedurat e numërimit.
Intensifikimi i edukimit për votimin elektronik – Për të siguruar që votuesit të jenë të informuar dhe të aftë të votojnë në mënyrë të pavarur./Radar.al


