Një nga operacionet më të mëdha kundër krimeve mjedisore në vitet e fundit është finalizuar nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Prokurorinë. Operacioni i koduar “Metalurgjiku”, i zhvilluar pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, ka çuar në arrestimin e 16 personave, mes tyre 9 shtetas të huaj, si dhe në procedimin penal të dy subjekteve juridike që ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit.
Hetimet zbuluan një skemë të gjerë shkeljesh në zonën e ish-Metalurgjikut në Bradashesh, ku aktiviteti industrial shkaktonte ndotje serioze të ajrit, ujërave dhe tokës, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Në pranga përfunduan administratorë, drejtues teknikë, inxhinierë, përgjegjës turni dhe operatorë furrash, shqiptarë dhe të huaj. Mes të arrestuarve është edhe shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Dy subjektet tregtare janë proceduar penalisht, ndërsa 8 aksionerë janë shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, përfshirë ndotjen e mjedisit, fshehjen e të ardhurave, punësimin e paligjshëm dhe pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.
Për shkeljet e konstatuara janë vendosur gjoba prej 3 dhe 10 milionë lekësh, si dhe është pezulluar aktiviteti i të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore. Gjatë operacionit janë sekuestruar pajisje elektronike që do të shërbejnë si prova materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë dhe se operacioni “Metalurgjiku” përbën një goditje të fortë ndaj krimeve mjedisore, duke dhënë një sinjal të qartë se ndotja dhe shkelja e ligjit nuk do të tolerohen.


