Policia e Tiranës ka vijuar goditjet ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, duke finalizuar operacionin e koduar “Bulevardi”, në kuadër të hetimeve për trafikun e drogave të forta në kryeqytet.
Gjatë operacionit, është arrestuar në flagrancë shtetasi S. K., 44 vjeç, banues në Vorë, i dyshuar si i përfshirë në furnizimin dhe shpërndarjen e kokainës në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Bulevardin e Ri dhe segmentet rrugore drejt Urës së Paskuqanit.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit fizik në rrugën “Riglata”, të arrestuarit iu gjetën dhe iu sekuestruan dy pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me një peshë totale prej 1 kilogram e 680 gramë.
Hetimet paraprake sugjerojnë se 44-vjeçari vepronte si furnizues për persona të tjerë që e shpërndanin lëndën narkotike në doza, ndërsa një pjesë e saj dyshohet se shpërndahej edhe vetë nga ai.
Operacioni “Bulevardi” vjen në vijim të një sërë ndërhyrjesh të mëparshme, përfshirë operacionin “Zonat”, gjatë të cilit janë sekuestruar rreth 1.5 kilogramë kokainë dhe 1.1 kilogramë heroinë gjatë muajve maj dhe qershor.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


