Departamenti amerikan i Luftës ka kërkuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara një paketë shtesë financimi prej rreth 80 miliardë dollarësh për të mbuluar kostot e lidhura me konfliktin me Iranin, si dhe disa shpenzime të tjera që nuk janë drejtpërdrejt të lidhura me luftën.
Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëssekretari i Luftës, Stephen Feinberg, gjatë diskutimeve me ligjvënës amerikanë, ndërsa sipas raportimeve të mediave, kërkesa zyrtare mund t’i paraqitet Kongresit në ditët në vijim.
Përveç financimit të Pentagonit, paketa pritet të përfshijë edhe fonde për prioritete civile, përfshirë ndihmën për fermerët dhe përballimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi këto zhvillime.
Sipas vlerësimeve të para, kostoja e luftës me Iranin për Shtetet e Bashkuara ka arritur deri tani rreth 25 miliardë dollarë. Megjithatë, analistët theksojnë se shifra reale mund të jetë më e lartë, pasi nuk përfshin dëmet në bazat ushtarake, shpenzimet operacionale dhe kostot e tjera të lidhura me dislokimin e forcave.
Më herët gjatë vitit, Pentagoni kishte shqyrtuar edhe paketa financimi më të mëdha, që varionin nga 50 deri në 200 miliardë dollarë, për të mbështetur operacionet ushtarake dhe për të rimbushur rezervat e armatimeve të përdorura.
Kërkesa e re pritet të nxisë debat të fortë në Kongresin amerikan, ku ligjvënës nga të dyja partitë kanë shprehur shqetësime për rritjen e kostove të luftës dhe ndikimin e saj në buxhetin federal dhe taksapaguesit amerikanë.


