Lufta në Gaza ka shkatërruar rëndë ekonominë e enklavës palestineze dhe ka rrezikuar mbijetesën e saj, paralajmëron OKB-ja, duke bërë thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare të menjëhershme dhe të koordinuar. Sipas një raporti të ri të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim (UNCTAD), rindërtimi i Rripit të Gazës do të kërkojë mbi 70 miliardë dollarë dhe mund të zgjasë disa dekada.
Raporti nënvizon se operacionet ushtarake kanë dëmtuar çdo shtyllë të mbijetesës – nga qasja në ushqim dhe strehim deri te shërbimet shëndetësore – duke zhytur Gazën në një krizë të thellë dhe të shkaktuar nga njeriu. Sipas UNCTAD, shkatërrimi sistematik ngre pyetje serioze mbi mundësinë që Gaza të rindërtohet si një shoqëri e qëndrueshme.
Edhe në skenarin më optimist, me rritje ekonomike dyshifrore të mbështetura nga ndihma e huaj, do të nevojiten dekada që Gaza të arrijë nivelin e prosperitetit që kishte para tetorit 2023. Organizata bën thirrje për një plan gjithëpërfshirës rimëkëmbjeje, që duhet të përfshijë ndihmë ndërkombëtare të koordinuar, rivendosjen e transfertave fiskale dhe heqjen e kufizimeve në tregti, lëvizje dhe investime.


