Një zjarr ka shpërthyer pasditen e së martës në një biznes rrobaqepësie në bulevardin “Gjergj Fishta” në qytetin e Lezhës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët përfshinë ambientet e dyqanit, i cili ndodhej në katin e parë të një pallati. Për shkak të pranisë së sasive të mëdha të materialeve tekstile, zjarri u përhap me shpejtësi, duke rrezikuar edhe bizneset përreth.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e tyre në objektet fqinje.
Si pasojë e zjarrit janë regjistruar dëme të konsiderueshme materiale në biznes, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet e zjarrit, të cilat mbeten ende të paqarta.


