Një 25-vjeçar me origjinë shqiptare, i akuzuar për tentativë rrëmbimi të dy vajzave të mitura në shtetin e Miçiganit, SHBA, ka shkaktuar reagime gjatë seancës gjyqësore pasi u tregoi gishtin e mesit familjarëve të viktimave të dyshuara.
Endi Bala u paraqit në Gjykatën e Mount Clemens, ku pritej të paraqiste një deklaratë “no contest”, që nënkupton se nuk kundërshton akuzat pa pranuar formalisht fajësinë. Megjithatë, në momentin e fundit ai u tërhoq nga kjo marrëveshje, duke bërë që procesi gjyqësor të vijojë.
Sipas autoriteteve amerikane, Bala akuzohet se në gusht të vitit 2024 tentoi të rrëmbente dy vajza, të moshës 7 dhe 15 vjeç, në dy episode të ndara që ndodhën brenda rreth 45 minutash.
25-vjeçari, i cili u shpërngul në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria gjatë adoleshencës, përballet me akuza për tentativë rrëmbimi dhe joshje të të miturve.
Veprimi i tij ndaj familjarëve gjatë seancës u regjistrua në sallën e gjyqit dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave amerikane, ndërsa çështja vijon të shqyrtohet nga drejtësia.


