Kryeministri Edi Rama deklaroi se Paketa e Maleve është hartuar për të nxitur zhvillimin ekonomik të trashëgimtarëve të pronave në zonat malore, duke hedhur poshtë pretendimet se iniciativa synon të favorizojë oligarkët apo investitorë të mëdhenj.
Gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Thethit, Rama tha se kjo zonë ka qenë një nga arsyet kryesore që çoi në hartimin e Paketës së Maleve, pasi përfaqëson njëkohësisht potencialin e madh turistik dhe sfidat ligjore që pengojnë zhvillimin.
Sipas tij, ekziston një keqkuptim i madh rreth paketës, ndaj është e nevojshme që trashëgimtarët e pronave në zonat ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501 të informohen qartë mbi përmbajtjen dhe objektivat e saj.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga, sipas tij, pretendimet se përmes kësaj nisme pronat do t’u kalojnë oligarkëve ose investitorëve të ardhur nga qytetet.
“Paketa e Maleve është pikërisht e kundërta e asaj që thuhet. Ajo nuk është për uzurpuesit, nuk është për biznesmenë pa lidhje me këto zona dhe as për oligarkët. Qëllimi i saj është të vërë në lëvizje ekonominë e trashëgimtarëve të pronave në territore ku toka nuk është ndarë sipas ligjit 7501”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se në shumë prej këtyre zonave banorët nuk e kanë zbatuar ligjin 7501, por kanë ruajtur ndarjen tradicionale të pronave sipas kufijve të vjetër, duke shmangur në pjesën më të madhe konfliktet mes tyre.
Sipas Ramës, Paketa e Maleve synon gjithashtu të krijojë mundësi zhvillimi për territoret ku turizmi mbetet alternativa kryesore ekonomike.


