Në një mesazh zanor të shpërndarë sot, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim, bëri thirrje për mobilizim total të qytetarëve në zgjedhjet e 11 majit, të cilat i cilësoi si një “betejë historike për lirinë dhe të ardhmen e vendit”.
“Vetëm 10 ditë na ndajnë nga fitorja historike që do të sjellë fundin e sektit që shpopulloi Shqipërinë dhe rrënoi ekonominë me korrupsion galopant”, deklaroi Meta. Ai akuzoi qeverinë për manipulim të opinionit publik me sondazhe të rreme dhe e quajti aktualin “regjimi i inceneratorëve që nuk punojnë”.
Meta theksoi se kjo është një përballje për “mbrojtjen e familjes shqiptare, për ndalimin e abuzimeve ndaj fëmijëve dhe për rivendosjen e lirisë ekonomike”. Ai premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes, programi i Partisë së Lirisë do të mbështesë çdo pensionist dhe familje shqiptare.
“Sot firmosa letrën e katërt mijë në këtë fushatë. Çdo minutë tani ka peshën e orëve, çdo orë të ditëve, dhe çdo ditë të dekadave të ardhshme”, deklaroi Meta, duke përmbyllur mesazhin e tij me thirrjen: “O Liri, o vdekje!”.


