Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen përsëri nga UNESCO, agjencia e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën, vetëm dy vjet pas rikthimit të tyre në organizatë gjatë administratës Biden. Lajmin e konfirmoi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, e cila e lidh vendimin me atë që Uashingtoni e cilëson si “agjendë përçarëse sociale dhe kulturore” të UNESCO-s.
Një nga pikat kryesore të kritikës ka të bëjë me pranimin e “Shtetit të Palestinës” si anëtar të plotë të UNESCO-s — vendim që, sipas SHBA-së, bie ndesh me politikën e jashtme amerikane dhe ka nxitur retorikë anti-izraelite brenda organizatës.
Kjo është hera e tretë që SHBA tërhiqet nga UNESCO dhe e dyta gjatë presidencës së Donald Trump. Tërheqja e fundit pritet të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit 2026.
SHBA-të janë një ndër kontribuuesit më të mëdhenj financiarë të UNESCO-s, megjithëse roli i tyre financiar është reduktuar ndjeshëm vitet e fundit. Aktualisht, kontributi amerikan përbën vetëm rreth 8% të buxhetit të përgjithshëm të organizatës, me vendet e tjera anëtare që kanë rritur mbështetjen e tyre për të kompensuar mungesën.
Tërheqja e parë e SHBA-ve nga UNESCO ndodhi në vitin 1984, nën administratën e Presidentit Ronald Reagan, për arsye që lidhen me keqmenaxhimin, korrupsionin dhe ndikimin e interesave sovjetike. Ato u rikthyen në vitin 2003, gjatë presidencës së George W. Bush. Ndërkohë, në vitin 2017, administrata Trump njoftoi largimin e dytë për shkak të “paragjykimeve anti-izraelite”, një vendim që hyri në fuqi një vit më vonë.


