Etien Tare, djali i Igli Tares, ka ndarë një mesazh emocional në rrjetet sociale pas lajmit për emërimin e babait të tij si drejtor sportiv i klubit të njohur italian, AC Milan. Në një postim në Instagram, ai shprehu krenarinë dhe emocionin që ndien për këtë arritje të rëndësishme në karrierën e të atit.
“Një ëndërr është bërë realitet për ty dhe për të gjithë familjen,” shkruan Etien, duke kujtuar rrugëtimin e Igli Tares nga Vlora deri te një nga klubet më të njohura të futbollit europian.
Mesazhi i tij vlerëson përkushtimin, punën dhe përpjekjet e Tares ndër vite, ndërsa thekson mbështetjen e pakushtëzuar të familjes për sfidën e re që e pret në krye të sektorit sportiv të kuqezinjve.
“Ne jemi krenarë për ty dhe do të mbështesim gjithmonë… Të uroj gjithë të mirat dhe fat në aventurën tënde të re. Të dua shumë babi,” mbyllet mesazhi.
Ky reagim vjen pas konfirmimit zyrtar të emërimit të Igli Tares në një nga rolet më të rëndësishme në menaxhimin e Milanit, një hap i madh pas eksperiencës së tij të gjatë dhe të suksesshme si drejtor sportiv i Lazios.
“I dashur babi,
Fillova ta shkruaj këtë mesazh disa muaj më parë kur dëgjova se do të nënshkruash me ekipin tënd të ëndrrave. Sot ajo ditë ka ardhur dhe më në fund mund të mbaroj rreshtat e mia, një ëndërr është bërë realitet për ty dhe për të gjithë familjen.
Babi çfarë të them është e pabesueshme që djali yt është shumë krenar që ka një shembull të tillë në jetën e tij, ti ke ardhur nga hiçi dhe ke arritur të pamundurën! Një fëmijë i vogël nga Vlora që ëndërronte të bëhej pjesë e Milanit një ditë dhe shiko tani se ia ke dalë!
Ne jemi krenarë për ty dhe do të mbështesim gjithmonë, jam i sigurt se do të bësh një punë të pabesueshme me klubin tënd të ri. Të uroj gjithë të mirat dhe fat në aventurën tënde të re. Të dua shumë babi”, shkruan djali i Igli Tares.

