Reshjet intensive të breshërit dhe dëborës kanë shkaktuar probleme serioze në disa segmente rrugore të Qarkut Shkodër gjatë orëve të fundit, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve.
Sipas njoftimit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, disa familje, mes tyre edhe fëmijë, janë bllokuar përkohësisht në rrugë për shkak të kushteve të rënduara atmosferike. Situata më problematike është regjistruar në aksin nga Buni i Bajraktarit në drejtim të qytetit të Koplikut.
Në këtë segment, më shumë se 200 automjete kanë mbetur në pritje, ndërsa alternimi i breshërit dhe dëborës, i shoqëruar me ngrica, ka rritur rrezikun për aksidente dhe ka bërë të pamundur lëvizjen normale.
Në terren kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat kanë arritur të rikthejnë gradualisht qarkullimin dhe po vijojnë punën për menaxhimin e situatës. Autoritetet po mbajnë koordinim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe normalizimin e trafikut.
Prefektura u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike, të tregojnë kujdes maksimal gjatë drejtimit të automjeteve dhe të zbatojnë udhëzimet e Policisë. Në raste emergjente, qytetarët ftohen të kontaktojnë Policinë e Shtetit ose shërbimet përkatëse të emergjencës.


