Pas valës së sulmeve me raketa të lëshuara nga Irani ndaj Izraelit, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se qytetarët izraelitë tani mund të dalin nga strehimoret dhe se regjimi iranian është “në pikën më të dobët”.
Në një fjalim drejtuar kombit, Netanyahu e cilësoi situatën si një mundësi që “populli iranian të ngrihet kundër regjimit që i shtyp”, duke theksuar se “populli izraelit është me ju”.
Nga ana tjetër, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, akuzoi Iranin për kalimin e “vijave të kuqe” duke goditur zona civile, duke paralajmëruar se Teherani do të përballet me “pasoja të rënda”.
Sulmet iraniane vijnë si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ajrore izraelite në territorin iranian, të cilat kishin si objektiv instalime bërthamore dhe figura të larta të regjimit. Situata mbetet tejet e tensionuar në rajon.


