Me vendim të Këshillit të Ministrave, stadiumi “Niko Dovana” në Durrës i kalon në pronësi Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), për realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i stadiumit ‘Niko Dovana’”.
Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, prona shtetërore i transferohet shoqërisë aksionare KISH (NIPT: M01917011D), që do të veprojë si zhvillues i projektit nëpërmjet entiteteve që ajo mund të krijojë. Në këtë kuadër, është autorizuar të hapë procedura konkurruese për përzgjedhjen e një partneri privat, si dhe të negociojë kontrata zhvillimi për zonën përreth stadiumit.
Gjithashtu, Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, KOKSH, Agjencia e Kadastrës, dhe vetë Korporata, janë të ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi.
Ndërkohë, vendimi i mëparshëm nr.485, datë 1.8.2023, që ngarkonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për këtë projekt, është shfuqizuar.
Në këtë situatë, me nisjen e pritshme të punimeve për rikonstruksionin, skuadra e Teutës pritet të kërkojë një stadium alternativ për zhvillimin e ndeshjeve shtëpiake gjatë sezonit të ardhshëm.


