Lumi Fan në veri të Shqipërisë po ndotet rëndë nga mbetjet industriale të fabrikës së pasurimit të bakrit në Fushë-Arrëz, e dhënë me koncesion kompanisë Beralb Sh.a. që nga viti 2001 dhe me të drejtë operimi deri në vitin 2043.
Pamjet e transmetuara nga “Fiks Fare” tregojnë se pas derdhjes së ujërave të fabrikës, lumi merr një ngjyrë të kuqërremtë, shenjë e qartë e ndotjes toksike.
Zyrtarisht, aktiviteti i fabrikës është pezulluar që në vitin 2023 nga Drejtoria e Mjedisit dhe Ujërave për shkak të ndotjes, por kompania e ka kundërshtuar vendimin në gjykatë dhe ka fituar të drejtën e sigurimit të padisë, duke vijuar aktivitetin deri në një vendim përfundimtar.
Inspektorët pranojnë se nuk kanë më kompetenca për të ndërhyrë, ndërsa përfaqësuesit e kompanisë kanë refuzuar çdo kontakt me mediat.
Në terren, gazetarit iu kërkua të largohej, ndërsa autoritetet rajonale të mjedisit në Shkodër shfaqën mungesë informacioni për situatën. Ndërkohë, lumi Fan vazhdon të ndotet çdo ditë, ndërsa procesi gjyqësor që do të përcaktojë fatin e fabrikës mund të zgjasë për vite.


