Policia e Fierit ka nisur procedim penal ndaj katër punonjësve të një kompanie për nxjerrjen e naftës, të dyshuar për ndotje të mjedisit dhe të Lumi Vjosa.
Në hetim janë vënë shtetasit me iniciale Z. T., 59 vjeç, A. Z., 57 vjeç, G. B., 52 vjeç dhe G. N., 52 vjeç. Sipas policisë, ata dyshohet se nuk kanë marrë masat e nevojshme për riparimin e një linje të dëmtuar të tubacionit të naftës.
Si pasojë e mosveprimit të tyre, është shkaktuar ndotje e mjedisit, duke prekur edhe rrjedhën e lumit Vjosa.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike në DVP Fier kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për katër punonjësit.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht shkeljet dhe përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.


