Fluksi i lartë i automjeteve drejt juglindjes së vendit ka rikthyer pasditen e kësaj të premteje radhët e gjata dhe trafikun e rënduar në aksin kombëtar Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit–Elbasan, një nga segmentet më të ngarkuara gjatë sezonit veror.
Qindra qytetarë nga Tirana kanë shfrytëzuar fundjavën për t’u nisur drejt destinacioneve turistike të juglindjes, si Pogradeci, Korça, Prespa, Dardha, Voskopoja dhe zonat përreth. Si pasojë, qarkullimi është rënduar që në orët e para të pasdites, duke krijuar kolona të gjata automjetesh në disa segmente të rrugës.
Në rritjen e fluksit ka ndikuar edhe ardhja e emigrantëve dhe vizitorëve që po kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet verore me familjet e tyre. Prania e automjeteve me targa të huaja është shtuar ndjeshëm në akset kryesore kombëtare.
Autoritetet parashikojnë që trafiku të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, pasi hyrjet e emigrantëve në vend pritet të intensifikohen me avancimin e sezonit turistik. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të planifikojnë udhëtimet duke llogaritur vonesa për shkak të ngarkesës së madhe në rrugë.


