Policia e Durrësit ka filluar procedimin në gjendje të lirë për një të moshuar në Shijak.
Sipas burimeve mësohet se shtetasi H. S., 83 vjeç, banues në fshatin Shetel ndezi zjarr për të djegur mbeturinat, por si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe toke të mbjella si dhe u rrezikuan dy banesa në pronësi të shtetatsve të tjerë.
Mësohet se policia vendosi të hetojë në gjendje të lirë 83 vjeçarin për shkak të moshës.
Njoftimi i Policisë
Ndezi zjarr në fshatin Shetel dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u rrezikuan 2 banesa dhe u dogjën sipërfaqe toke të mbjella, identifikohet dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, 83-vjeçari.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë dhe atyre zjarrfikëse mundësoi shuarjen e zjarrit.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Komisariati i Policisë Shijak referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për shtetasin H. S., 83 vjeç, banues në fshatin Shetel.
Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në fshatin ku banonte, për të djegur mbeturina. Si pasojë e përhapjes së flakëve, u rrezikuan 2 banesa në këtë zonë dhe u dogjën sipërfaqe toke të mbjella, në pronësi të shtetasve të tjerë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon sërish për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërive në tërësi, dhe iu garanton anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.


