Policia Kufitare në aeroportin “Nënë Tereza” ka vënë në pranga një shtetas 41-vjeçar nga Gjeorgjia, i identifikuar si G. Z., i cili u përpoq të kalonte kufirin me dokumente të falsifikuara për të udhëtuar drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Fillimisht, ai paraqiti një pasaportë gjeorgjiane dhe një kartë imbarkimi për Budapestin, por u pikas më pas duke tentuar të hipte në avionin e linjës “Tiranë-Mançester”. Gjatë kontrollit të dytë, policia i gjeti një pasaportë greke me të dhëna të një personi tjetër dhe një biletë për në Britani. Ekspertiza laboratorike vërtetoi se dokumenti ishte fals.
41-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe vizave”, ndërsa dosja iu referua Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Autoritetet shqiptare dhe ato britanike e cilësuan rastin si një shembull të bashkëpunimit të ngushtë në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve.


