Ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare, teksa ndodhej në vendin tonë për një vizitë zyrtare. Trupi i tij u gjet pa shenja jete në një hotel në Golem, ku ishte akomoduar. Policia njofton se dyshohet për vdekje natyrale.
Daum ishte një figurë e nderuar në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Në vitin 1987, ai u ngarkua të hapte ambasadën gjermane në Tiranë dhe luajti një rol kyç në periudhat e trazuara të viteve ’90. Më korrik të vitit 1990, ai dha urdhër për strehimin e 3199 qytetarëve shqiptarë në selinë diplomatike, duke garantuar sigurinë e tyre deri në largimin përfundimtar jashtë vendit.
Vetëm pak ditë më parë, Daum ishte në Kavajë për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Josif Budos, ku u nderua me një Certifikatë Mirënjohjeje nga Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja.
Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbi një mik të vërtetë, ndërsa historia ruan emrin e tij si një ambasador të guximshëm dhe humanist.


