Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se vendet anëtare të aleancës do të zhvillojnë në javët e ardhshme diskutime për sigurinë në rajonin e Arktikut, në një moment tensionesh të shtuara pas përpjekjeve të presidentit amerikan Donald Trump për të vënë Groenlandën nën kontrollin e SHBA-ve.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Bruksel, Rutte theksoi se ekziston një dakordësi e gjerë mes aleatëve për nevojën e bashkëpunimit në Arktik.
“Gjithkush është dakord se për sa i përket Arktikut, duhet të punojmë së bashku”, u shpreh ai.
Ndërkohë, qeveria e Grenlandës ka reaguar me tone të forta ndaj zhvillimeve të fundit. Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, deklaroi në Kopenhagë se vendi i tij qëndron qartë në krah të Danimarkës dhe nuk pranon të vihet nën sovranitetin apo kontrollin e Shteteve të Bashkuara.
“Groenlanda nuk dëshiron të bëhet pjesë e SHBA-ve dhe nuk pranon të jetë nën kontrollin e tyre. Zgjedhja jonë është e qartë: ne qëndrojmë me Danimarkën”, tha Nielsen.
Ai theksoi gjithashtu se ishulli nuk është për shitje dhe se autoritetet e Groenlandës kanë besim të plotë te NATO dhe te aleanca me Mbretërinë e Danimarkës.
“Dua ta përsëris qartë: Groenlanda nuk është në shitje. Ne qëndrojmë të bashkuar me Danimarkën dhe me NATO-n”, përfundoi kryeministri.


