Gazetarja e kronikës së zezë, Glidona Daci ka veçuar 3 prej ngjarjeve më të forta që kanë tronditur opinion publik gjatë vitit 2024.
Në vend të parë është padyshim vetëvrasja e 39-vjeçares Alma Arrazi e cila u hodh bashkë me 3 fëmijët e mitur nga ura e lumit Buna.
Një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme përgjatë këtij viti ishte goditja e 7 grupeve kriminale, ku u lëshuan dhjetëra urdhër-arreste dhe u goditën eksponentë të fortë të krimit të organizuar.
“Kishim disa operacione të fuqishme në goditjen e grupeve kriminale. Për mua dy operacionet më të mëdha ka qenë operacioni “Revanshi” ku u goditën 7 grupe kriminale të cilat vepronin në vend që nga Shkodra për të ardhur më pas në zonën e Lezhës dhe të Fushë-Krujës dhe Niklës, të cilat janë zonat më problematike për shkak të eksponentëve të krimit të organizuar që jetojnë. Disa prej tyre janë arrestuar, kurse disa të tjerë janë në kërkim, pritet të kemi dhe një ekstradim të një prej të fortëve të zonës së Niklës, Durim Bami. Nëse zbërthehet ky eksponent i krimit të organizuar do i bënte një punë shumë të mirë jo vetëm drejtësisë, por gjithë popullit, pasi ai di shumë ngjarje. Dyshohet që Durim Bami të dijë rastet që kanë tronditur jo vetëm opinion publik, por që kanë dhe prapavija politike.”
Vrasja e 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij për shkak të një sherri të nisur fillimisht në rrjetet sociale është një ngjarje e cila përveçse ka tronditur shoqërinë shqiptare, ka ngritur dhe një sërë pyetjesh për sigurinë në shkolla dhe përdorimin e rrjeteve sociale.
“Ngjarja e fundit për mua, për këtë vit që ka shkaktuar dhe ka tronditur gjithë opinion publik, mendoj që këtu duhet të reflektojë secili prej nesh është ngjarja e adoleshentit 14-vjeçar, për të cilën vazhdon të jetë ende e nxehtë situata për shkak të dinamikës së hetimit, për shkak të mungesës së një lloj transparence, por nga ana tjetër duhet të theksojmë diçka që ligji për të miturit ndryshon nga ai për të rriturit.”/tvklan.al


