Moti i keq i ditëve të fundit ka sjellë problematika serioze sociale dhe infrastrukturore në qarkun e Korçës.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike gjatë orëve të fundit është shoqëruar me reshje të dendura dëbore, të cilat kanë bllokuar një nga akset panoramike të zonës, rrugën Panarit–Korçë, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve.
Autoritetet bëjnë me dije se situata është rënduar për shkak të intensitetit të reshjeve, ndërsa mjetet borëpastruese ndodhen në terren dhe po punojnë për hapjen e plotë të aksit.
Strukturat përkatëse kanë qenë dhe vijojnë të jenë aktive në zonën e Panaritit për pastrimin e borës dhe normalizimin e qarkullimit, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e situatës.







