TIRANË-Ditën e sotme Drejtoria e Burgjeve nuk po ekzekuton vendimin e gjykatës së Tiranës, që ka caktuar masën e sigurisë së arrestit me burg për 14-vjeçarin, Mario Përlleshaj, i akuzuar për vrasjen me thikë të bashkëmoshatarit të tij, Martin Cani më 18 Nëntor pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.
U bë me dije se punonjësit e burgjeve janë përballur me refuzimin e mjekut të spitalit privat ku po kurohet Përlleshaj për t’i dorëzuar epikrizën mjekësore, një dokumentacion i domosdoshëm ky që dëshmon nga se u kurua dhe progresin në shërimin e 14-vjeçarit, Përlleshaj.
Kjo ka bërë që Komisioni i Burgjeve të njoftojë Policinë e Tiranës duke akuzuar për mosbindje dhe refuzim të një vendimi gjykate të mjekut Dritan Todhe të spitalit privat “Hygea”.
Ndërkohë “burgjet” deklarojnë se mjeku në fjalë ka zvarritur procesin e dorëzimit të epikrizës prej së hënës (25 Nëntor), kur komisioni prej 5 personash i drejtorisë u paraqit në spitalin privat për të ndjekur procedurat e kërkuara nga ligji.
Ndaj të miturit është vendosur masa arrestit me burg, ndërsa mjeku ka detyrimin t’u japë përfaqësuesve të burgjeve epikrizën e të miturit. Komisioni me pesë persona duhet të provojë çfarë gjendje shëndetësore ka ai, dhe ta transportojë nga ambienti i spitalit privat ose në spitalin e burgjeve në një seksion për të miturit, ose në institutin e të miturve në Kavajë.
Të hënën, kjo procedure nuk u arrit të realizohet, pasi mjeku nuk dorëzoi as kartelën mjekësore dhe as epikrizën.
I njëjti refuzim prej mjekut të spitalit privat është kryer edhe paraditen e së martës. Anëtarët e komisionit, veç policisë së shtetit janë vënë në kontakt edhe me prokuroren e çështjes për udhëzime se di do të procedohet në vazhdim./Radar.al


