Vrasja e 19-vjeçarit shqiptar Gent Maksutaj ka tronditur opinionin publik në Suedi, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë. I riu u qëllua për vdekje në rrugët e Upsalës, ku kishte dalë për një shëtitje mbrëmjen e së dielës.
Sipas mediave suedeze, Genti sapo kishte përfunduar shkollën e mesme dhe planifikonte të vazhdonte studimet për arkitekturë. Mbrëmjen e ngjarjes ai kishte dalë për të ecur, pasi kishte dëmtuar gjurin gjatë një ndeshjeje futbolli dhe donte të shmangte përkeqësimin e dëmtimit.
Fillimisht u raportua se 19-vjeçari mund të ishte viktimë aksidentale e një përplasjeje mes grupeve kriminale. Megjithatë, zhvillimet e fundit të hetimit kanë ngritur dyshime të tjera mbi motivin e krimit.
Për ngjarjen është arrestuar një i ri 18-vjeçar, i dyshuar si autor i vrasjes. Sipas gazetës suedeze Aftonbladet, hetuesit po e trajtojnë rastin si një ekzekutim të mirëorganizuar.
Sipas raportimeve, autori dyshohet se ka udhëtuar me biçikletë drejt vendit të ngjarjes, ku fillimisht ka qëlluar një herë ndaj viktimës. Më pas, pasi 19-vjeçari kishte rënë në tokë, ai është afruar dhe ka qëlluar sërish nga një distancë e afërt.
Pas krimit, i dyshuari dyshohet se është larguar me tren drejt Stokholmit, ku u arrestua më vonë nga policia në një restorant Burger King.
Prokurorët suedezë dyshojnë se në ngjarje mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbuluar rrethanat dhe motivin e plotë të vrasjes.
Policia nuk ka konfirmuar ende nëse ekzekutimi lidhet me konfliktet mes bandave kriminale që prej kohësh kanë goditur Suedinë, duke lënë të hapur të gjitha pistat e hetimit.


