Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj ka folur sot për çështjen e mishit me salmonelë dhe shpërndarjen e tij në treg.
Denaj tha se institucionet po bëjnë punën e tyre dhe se sasia më e madhe është bllokuar. Ajo shtoi se biznesi nuk ka lejuar kontrollin e plotë të gjurmueshmërisë, ndaj rasti është referuar në prokurori.
“Ne duhet të presim sa të flasim të gjitha institucionet që po bëjnë vlerësim çfarë ka ndodhur. Produktet që vijnë nga Brazili janë të certifikuara. Origjina e produktit është dhe jemi sot me ligjet në Shqipëri si me ligjet në Bashkimin Evropian për importimin. Në momentin që subjekti në përgjigjen që merr nga ISUV rezulton se ka salmonelë duhet të informojë se ku e ka tregtuar. Nga ana tjetër biznesi po ashtu nuk ka lejuar kontrollin e plotë të gjurmueshmërisë. Prandaj AKU ka referuar rastin. Nëse ne flasim për sigurinë ushqimore, në këtë proces palët duhet të marrin përgjegjësinë përkatëse. Në mungesë të marrjes së informacionit nga biznesi kemi referuar rastin në prokurori për ndihmë. Kam informacion se sasia më e madhe është bllokuar. Kemi gjurmuar dhe bllokuar, por sasia e plotë do të dalë në fund të investigimit”, tha Denaj.


