Komisionet e Politikës së Jashtme në Senat dhe në Dhomën e Deputetëve në Itali një ditë më parë realizuan marrëveshjen e pensioneve me Shqipërinë.
Sipas deputetit të PS, Etjen Xhafaj, hapi i fundit tani mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje e cila pritet të prekë dhjetëra-mijëra shqiptarë.
“Dje ka kaluar në Komisionet e Politikës së Jashtme, si në Senat edhe ne Dhomën e Deputetëve në Itali, marrëveshja e pensioneve me Shqipërinë, së bashku me amendamentet për alokimin e fondeve përkatëse. Hapi i fundit mbetet votimi në seancë plenare, për këtë marrëveshje që prek me dhjetëra mijëra shqiptarë. Falenderime për të gjithë ata nga pala italiane e shqiptaro-italianët që janë përfshirë në këtë marrëveshje që në gjenezë të saj!”, shkruan ai.
Pra shqiptarët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjar të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet.
Pas datës 6 korrik, shqiptarët në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin italian dhe atë shqiptar duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që kanë derdhur kontributet.
Bëhet me dije se janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë që do të përfitojnë pension në Shqipëri.
Po ashtu shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.


