Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot mbledhjen e Komitetit të Emergjencave Civile për qarkun e Durrësit, në kuadër të situatës së krijuar nga reshjet intensive të shiut.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të mbledhjes, Vengu bëri të ditur se rreth 800 banesa janë prekur nga uji, ndërsa 180 banorë janë evakuuar për shkak të rrezikut të përmbytjeve.
Sipas ministrit, strukturat e emergjencave civile, bashkia dhe Forcat e Armatosura ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën në mënyrë të pandërprerë, pasi rreziku ende nuk ka kaluar.
“Kemi prezencë uji në ish-Kënetë, në Shkozet, në zonën e ish-Nishtullës. Të gjitha skuadrat janë në terren, si ato civile ashtu edhe Forcat e Armatosura që janë angazhuar në mbështetje të bashkisë së Durrësit. Nuk do të largohemi nga terreni derisa të ketë largim total të ujërave. Do të jetë një natë dinamike, reshjet do të vazhdojnë,” deklaroi Vengu.
Ai theksoi se 180 banorët e evakuuar janë akomoduar në dy kavalishenca të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, ku po u sigurohet trajtim ushqimor dhe mjekësor, sipas nevojës.
“Kemi parashikime për prurje domethënëse. Fokusi ynë kryesor është parandalimi i situatave problematike në basenin e Erzenit, për të shmangur përmbytje të mundshme edhe në zonën e Shijakut,” shtoi ministri.
Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, bëri të ditur se fillimisht disa qytetarë kishin refuzuar evakuimin, por për shkak të intensitetit dhe kohëzgjatjes së reshjeve, është ndërhyrë për evakuimin e tyre.
“Në pjesën e parë të ditës pati hezitim nga banorët për t’u evakuuar, por me përkeqësimin e situatës janë evakuuar 180 persona, të cilët janë sistemuar në kavalishenca dhe u është siguruar edhe ushqimi,” u shpreh Sako.
Autoritetet bëjnë me dije se të dyja kavalishencat mbeten të hapura për çdo qytetar që ka nevojë për strehim, ndërsa monitorimi i situatës vijon pa ndërprerje.


