Drejtoresha e Përgjithshme e Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, Eugena Tomini duke folur mbi alarmin që është ngritur nga një virus i ri në Kinë, tha se nuk është diçka e re pasi ka qarkulluar dhe më përpara.
“Situata epidemiologjike mesa duket ka vënë në alert gjithë strukturat ndërkombëtare në lidhje me shfaqjen e metapneumovirusit në Kinë. Nuk është një virus i ri, qarkullon në gjithë botën që në vitin 2001.
Nuk ka hapësirë për panik pasi jemi në një sezon ku virozat shprehen më së shumti dhe rëndon përballjen e sistemit shëndetësor përkundrejt rasteve që kërkojnë trajtime ambulatore”, tha Tomini në Euronews Albania.
Doktoresha është ndalur dhe tek metapneumovirusi në vendin tonë teksa ka theksuar se edhe Shqipëria vitin e shkuar është prekur nga ky virus.
“Në Shqipëri është konfirmuar dhe më herët prezenca e tij, por vitin e shkuar ka pasur raste të konfirmuara me këtë virus. Sa i përket simptomave, nuk ka një vijë të cilën e ndan gripin nga covid apo nga metapneumovirusi.
Virozat repsiratore japin të njëjta simptomatologji, siç janë temperatura, kolla, tharje fyti, rrjedhje nga hundët, pra simptoma si gripi i Covid-19.
Një diagnozë laboratorike e ndan se a është një grip Covid apo metapneumovirus. Kjo e fundit jep komplikacione, sidomos në moshat e reja dhe moshat e treta, këto komplikacione kalojnë në pneumoni duke kaluar dhe në fatalitete”, u shpreh doktoresha Tomini.


