Në errësirën e natës, një zhurmë e lehtë mbi qiellin e frontit lindor mbushte me tmerr ushtarët gjermanë. Ishin “Shtrigat e Natës” – pilotet sovjetike që fluturonin me aeroplanë prej druri, pa armë, pa radio dhe shpesh pa parashuta. Të vetmet gjëra që mbanin me vete? Bombat dhe guximin e papërshkrueshëm.
Një episod i ri i podcast-it të BBC Radio 4 “Heronjtë Sekret të Historisë”, rrëfyer nga aktorja Helena Bonham Carter, hedh dritë mbi këtë njësi unike të përbërë vetëm nga gra që luftuan me trimëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të njohura nga gjermanët si die Nacht Hexen – “Shtrigat e Natës”, këto gra sfiduan jo vetëm ushtrinë naziste, por edhe paragjykimet e epokës. Udhëhequr nga aviatorja legjendare Marina Raskova, ato përfunduan një trajnim 3-vjeçar për vetëm 3 muaj. Dhe u hodhën menjëherë në zjarrin e luftës.

“Donin të fluturonin. Ishin të çmendura pas qiellit,” thotë historiania Lyuba Vinogradova.
Avionët e tyre Po-2, të lehtë dhe të vjetër, ishin teknikisht të papërshtatshëm për luftë – të dizajnuar për spërkatje bujqësore – por u kthyen në armë të padukshme. Ato fluturonin ulët, fiknin motorët për t’iu shmangur radarëve dhe i hidhnin bombat pa paralajmërim.
Njëra prej tyre, Galya Dokutovich, shkroi:
“Pasi ke fluturuar pak, ecën si në ëndërr dhe mezi pret të ngjitesh sërish në qiell.”
Në vend të pajisjeve moderne, ato kishin ndjenjën e detyrës, besimin te njëra-tjetra dhe urinë për drejtësi.
Shumë nga këto gra nuk e panë kurrë fundin e luftës, por kontributi i tyre ishte i jashtëzakonshëm në thyerjen e vijave gjermane. Tani, dekada më vonë, historia e tyre më në fund po zë vendin që meriton në kujtesën kolektive.


