Një valë mashtrimesh online po shfrytëzon imazhet e mjekëve të njohur shqiptarë për të promovuar produkte “mrekullie” që pretendojnë të kurojnë sëmundje kronike si diabeti. Këto video të manipuluara dhe postime të sponsorizuara në rrjetet sociale, kanë bërë që shumë qytetarë — sidomos të moshuar — të bien pre e reklamave të rreme dhe të braktisin mjekimin e specializuar për ilaçe bimore të pasigurta.
Një rast konkret është ai i Prof. Dr. Myftar Barbullushit, një mjek i njohur nefrolog, i cili është përfshirë pa dijeni në një video mashtruese që promovon një “ilaç” për diabetin, duke i shkaktuar konfuzion dhe dëm pacientëve të pambrojtur. Një grua që e kishte parë videon në Facebook, u paraqit në klinikë për të kërkuar “kurën e diabetit”, por u përball me të vërtetën: Prof. Barbullushi nuk ka asnjë lidhje me atë produkt dhe është specialist për sëmundjet e veshkave, jo diabetolog.
“Fillimisht nuk i kushtova rëndësi, por çdo ditë më telefonojnë deri në 20 persona që kërkojnë këtë ilaç. Po vijnë edhe nga rrethet”, u shpreh mjeku, i cili është detyruar të bëjë një përgënjeshtrim publik në Facebook, duke theksuar se nuk ka asnjë lidhje me suplementin që po i atribuohet në mënyrë të rreme.
Këto mashtrime jo vetëm që dëmtojnë reputacionin e mjekëve, por vënë seriozisht në rrezik shëndetin e qytetarëve. Braktisja e trajtimit të kontrolluar mjekësor për produkte të pasigurta nga interneti mund të ketë pasoja fatale.
Apeli i profesionistëve të shëndetit është i qartë: Autoritetet duhet të ndërhyjnë urgjentisht për të ndaluar abuzimet kibernetike me imazhin e mjekëve dhe për të mbrojtur qytetarët nga këto skema të rrezikshme mashtruese.


