Mashtrimi i 23 grave në zonën e Lezhës nga një 33-vjeçare, e cila aplikoi për kredi në emrin e tyre në IUTE Credit pasi u kishte marrë kartat e identitetit ka vënë në pikëpyetje edhe njëherë standardet e ndjekura për kredimarrjen në institucionet financiare jobankë si edhe zbatimin e rregulloreve të Bankës së Shqipëri.
Gjithçka ndodh pas skemës kriminale të MCA dhe Final, të cilat morën më qafë mijëra familje shqiptare si edhe ka shkaktuar disa të vdekur deri më tani përmes vetëvrasjeve.
Policia zbuloi disa ditë më parë se 33-vjeçarja Donika Curri kishte mashtruar 23 gra në zonën e Zejmenit në Lezhë duke u premtuar atyre fillimisht përfitime nga projekte të disa ambasadave në vend. Në këtë mënyrë ajo u mori grave kartat e identitetit, të cilat më pas i përdori në aplikacionin MyIute duke aplikuar për kredi në emrin e tyre pasi u kishte nxjerrë edhe nga një foto.
Disa nga gratë nuk ishin në dijeni të kredive të marra në emrin e tyre, ndërsa të tjera janë vënë në dijeni më pas.
Banka e Shqipërisë konfirmoi se ka nisur veprimet për verifikimin e rastit në fjalë si edhe të standardeve të ndjekura nga IUTE Credit Albania në rastet e aplikimeve për kredi si edhe procedurën e ndjekur për identifikimin e aplikantit për kredi.
Më shumë se sa mashtrimi në fjalë, e cila përbën një vepër penale dhe për këtë do të përgjigjet para ligjit 33-vjeçarja që kishte ngritur skemën, përbën shqetësim serioz mënyra se si pranohen aplikimet për kredi në institucionet bankare jobankë në Shqipëri dhe mbi të gjitha, verifikimi i aftësive paguese të kredimarrësit.
BSH miratoi në tetor disa ndryshime në rregulloren “Per Administrimin e Rrezikut per Institucionet Financiare jobanka”duke i mëshuar pikërisht verifikimit të aftësive paguese të aplikantit për kredi, për të shmangur kredimarrjen dhe kredidhënien e papërgjegjshme, gjë e cila duket se ende shfaq mungesa për aq kohë sa dikush mund të bëjë 23 aplikime për kredi përmes ID-ve të të tjerëve, të cilat më pas të miratohen nga kredidhënësi, në rastin konkret IUTE Credit.


