Një skemë mashtrimi që përfshin të paktën 23 gra nga zona e Lezhës ka rikthyer në vëmendje problemet serioze të sistemit të kontrollit dhe verifikimit në institucionet financiare jobanka në Shqipëri. Një grua 33-vjeçare, e identifikuar si Donika Curri, dyshohet se ka përdorur dokumentet personale të këtyre grave për të aplikuar dhe marrë kredi në mënyrë të paligjshme pranë institucionit financiar IUTE Credit.
Sipas të dhënave nga hetimi paraprak, Curri është paraqitur si përfaqësuese e një organizate bamirësie që ndihmon nënat me fëmijë të mitur. Ajo ka mbledhur të dhënat personale të grave, përfshirë fotografi të kartave të identitetit dhe foto të tyre, duke u premtuar atyre përfitime financiare mujore ose ndihmë nga projekte të mbështetura nga ambasada të huaja. Gratë, të pambrojtura dhe me informacion të kufizuar, i kanë besuar dhe i kanë dhënë dokumentet pa qenë në dijeni se ato do të përdoreshin për të marrë kredi në emrin e tyre.
Pasi kishte mbledhur të dhënat e nevojshme, Curri ka aplikuar për kredi të shumta përmes aplikacionit të IUTE Credit, duke mos kërkuar në asnjë rast prezencën fizike të personit që do të rezultonte si kredimarrës. Gratë e mashtruara kanë mësuar më vonë se mbi to rëndonin detyrime financiare prej disa mijëra eurosh që nuk i kishin marrë kurrë.
Autoritetet po vazhdojnë hetimet, ndërsa dyshohet se mashtrimet nuk janë kufizuar vetëm te IUTE Credit. Ekziston mundësia që janë kryer aplikime edhe në institucione të tjera financiare jobanka, duke rritur më tej shkallën e dëmit.
Rregulloret në letër, por jo në praktikë
Kjo ngjarje e rëndë vë në qendër të kritikave mungesën e kontrollit efektiv të identitetit dhe aftësive paguese nga ana e institucioneve të mikrokredisë. Pas skandalit të MCA dhe Final, që përfunduan në hetim nga SPAK, Banka e Shqipërisë kishte ndërmarrë një reformë të rëndësishme duke përditësuar në tetor të vitit të kaluar rregulloren për administrimin e rrezikut në aktivitetin e subjekteve financiare jobanka.
Rregullorja kërkon në mënyrë të qartë që çdo kredidhënës të verifikojë me dokumentacion të plotë identitetin, të ardhurat dhe aftësinë reale paguese të klientëve, duke përfshirë verifikimin e adresës dhe burimeve të ardhurave. Megjithatë, praktikat e ndjekura në këtë rast tregojnë se këto kërkesa ligjore nuk janë respektuar plotësisht.
Burime nga hetimi bëjnë të ditur se aplikimet për kredi janë bërë kryesisht online përmes aplikacionit të IUTE Credit, çka ka shmangur verifikimet fizike dhe ka krijuar mundësinë për këtë mashtrim. Policia po heton nëse në ndonjë rast ka pasur kontakte fizike në degë apo praninë e ndonjë përfaqësuesi të autorizuar.
Ngjarja në Zejmen të Lezhës është një tjetër paralajmërim për nevojën që institucionet financiare jobanka të zbatojnë rreptësisht rregulloret në fuqi, të mos mbështeten verbërisht në aplikime elektronike pa verifikim fizik dhe të mos e lënë përgjegjësinë vetëm te konsumatori. Sistemi ka nevojë për masa mbrojtëse më të forta, që të garantojë integritetin e procesit të kredidhënies dhe të mbrojë qytetarët, sidomos ata më vulnerabël, nga abuzimet e këtij lloji.



