Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Dhunë në burgun e Reçit, dy të paraburgosur sulmojnë efektivin dhe dëmtojnë ambientet

    Tragjedi në SHBA/ Tetë fëmijë humbin jetën pas të shtënave në Luiziana

    SHBA drejt marrëveshjes me Iranin? Zyrtari amerikan flet për progres në negociata

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Botë

    Marta Kos në karrigen e nxehtë para eurodeputetëve

    October 23, 2024
    Marta Kos

    Nga 4 deri më 12 nëntor do të mbahen seancat dëgjimore për 26 kandidatë për komisionarë të Bashkimit Evropian. Çdo kandidat përgjatë tri orëve do të përballet me pyetjet e anëtarëve të Parlamentit Evropian në komitetet që përkojnë me detyrat që ata duan të marrin. Më 2019, tre kandidatë nuk e kishin kaluar këtë proces, dhe një gjë e tillë pritet të ndodhë edhe këtë vit.

    Një kandidate për komisionare që pritet ta kalojë këtë proces, është Kaja Kallas, e cila synon postin e shefes së diplomacisë të Bashkimit Evropian. Ish-kryeministrja e Estonisë konsiderohet si një nga “yjet” e ekipit të ri të presidentes të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    Dhe, përderisa Kallasi pritet ta kalojë me lehtësi procesin e pyetjeve të anëtarëve, kandidatja për komisionare të Zgjerimit, sllovenia Marta Kos, me gjasë do të përballet me një seancë më të stuhishme më 7 nëntor. Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë në PE, besohet se ajo mund të jetë një nga kandidatet që mund të votohet që të mos emërohet komisionare për Zgjerim.

    Si fillim, ajo anon nga e majta, në PE-në që gjithnjë e më shumë po anon nga e djathta. Më pas janë edhe disa deklarata që ajo i ka bërë një muaj pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022, kur ajo tha se Rusisë nuk duhet t’i mbyllen dyert.

    Po ashtu, ka pasur pretendime për lidhje të saj me policinë sekrete të ish-Jugosllavisë, pretendime që ajo i ka hedhur poshtë, si dhe ka pasur ankesa nga ish-punonjësit e saj lidhur me mënyrën se si ajo e kishte menaxhuar punën derisa shërbente si ambasadore e Sllovenisë në Gjermani.

    Përderisa shumica e pyetjeve pritet të përqendrohen në mënyrën se si ajo do të sigurohet që shtetet aspiruese, si në Ballkanin Perëndimor (Kosova, Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), ashtu edhe ato në lindje (Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina), të lëvizin drejt anëtarësimit në BE, ka edhe çështje të tjera që eurodeputetët do të ngrenë në seancën e 7 nëntorit.

    Një çështje kyç është nëse Kosi do të zotohet për ndonjë datë për zgjerimin e ardhshëm gjatë mandatit të saj, që nëse emërohet në këtë post, do t’i përfundonte më 2029. Për shembull, Mali i Zi dëshiron të bëhet anëtar deri më 2028, por a mendon ajo se kjo është e realizueshme? Moldavia dhe Ukraina synojnë të jenë pjesë e bllokut evropian deri më 2030, por a mendon Kosi se kjo është e realizueshme?

    Sigurisht, afatet kohore janë të ndërlikuara dhe nuk varen vetëm nga ajo. Ajo, po ashtu, është vetëm udhëheqëse dhe nuk është vendimmarrëse. Dhe, fakti mbetet që asnjë shtet nuk i është bashkuar BE-së që kur Kroacia u anëtarësua më 2013 dhe çdo shtet aktual mund të vendosë veto ndaj hapjes apo mbylljes të kapitujve të anëtarësimit në BE.

    Për më tepër, në letrën e misionit që Von der Leyen i ka dërguar Kosit, ajo po ashtu nuk zotohet për zgjerim. Në letër vetëm thuhet që “ju do të punoni në integrimin gradual të shteteve kandidate, teksa ata punojnë për t’iu bashkuar BE-së”.

    Edhe pse, nëse miratohet, ajo mund të mos shohë ndonjë shtet të ri duke iu bashkuar BE-së gjatë mandatit të saj, Kos me gjasë do t’i shohë shumë prej tyre duke bërë përparim drejt bllokut. Në pjesën e parë të vitit 2025, Moldavia dhe Ukraina pritet të hapin kapitujt e parë për anëtarësim në BE dhe në mënyrë de facto të nisin procesin e negociatave.

    Deri më tani duket se ka pak rezistencë lidhur me anëtarësimin e Moldavisë në bllok, dhe do të jetë interesante të shihet se si Kosi do të merret me shtetet anëtare, veçmas me Hungarinë, dhe ndoshta edhe Sllovakinë, shtete që kanë shprehur rezerva për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës. Për shembull, a do të ishte ajo në favor të ndarjes së kandidaturave të Ukrainës dhe Moldavisë?

    Përderisa Bosnjë e Hercegovina po shpreson të nisë hapjen e kapitujve, Sarajeva duhet të plotësojë kushte, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

    Mund të ndodhë që Marta Kos të jetë komisionarja që do ta tërheqë Malin e Zi drejt vijës së finishit, apo të paktën ta afrojë. Podgorica i ka hapur negociatat në 33 kapituj politikë të pranimit, por ka arritur t’i mbyllë vetëm tre prej tyre. Në këtë pikë, Mali i Zi është më afër që të bëhet anëtari i 28-të i BE-së dhe ka pasur një ndjesi në mesin e diplomatëve që e përkrahin zgjerimin dhe politikanëve në Bruksel se blloku duhet t’u tregojë edhe anëtarëve të tjerë të mundshëm se zgjerimi, në të vërtetë, është i mundshëm.

    Por, nuk do të jetë një rrugë e lehtë. Përderisa Shqipëria së fundi hapi kapitujt e parë dhe bëri përparim të mirë, procesi i anëtarësimit të Serbisë mund të vazhdojë të pengohet nga kundërshtarët e Rusisë në mesin e shteteve lindore të BE-së, që kundërshtojnë lidhjet e ngushta të Beogradit me Moskën.

    Qeveria e re centriste e Maqedonisë së Veriut ka pak të ngjarë ta plotësojë kërkesën bullgare që ta ndryshojë Kushtetutën e shtetit në mënyrë që Shkupit t’i hapet rruga për nisjen e bisedimeve. Qeveria e Maqedonisë së Veriut, po ashtu, i referohet shtetit me emrin “Maqedoni”, duke e zemëruar fqinjin jugor, Greqinë, që për dekada kishte mospajtime me Shkupin lidhur me çështjen e emrit të shtetit.

    Gjetja e mënyrave që Maqedonia e Veriut të ketë raporte më të mira fqinjësore si me Bullgarinë, ashtu edhe me Greqinë, do të jetë një çështje për të cilën Kosi do të pyetet nga eurodeputetët. Nëse ajo emërohet në postin e komisionares për Zgjerim, ajo do të kalojë shumë kohë duke u marrë me këto çështje të ndjeshme.

    Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është bllokuar në Këshillin Evropian, ku marrin pjesë të gjitha shtetet anëtare, pasi shtetet mosnjohëse të Prishtinës, sikurse Spanja, nuk kanë vullnet që ta dërgojnë aplikimin për vlerësim në Komisionin Evropian, që ndodhet matanë rrugës. Me shumë gjasa, Kosi do të thotë se ajo është e gatshme që ta autorizojë vlerësimin, por përfundimisht, kjo çështje nuk do të jetë në duart e saj.

    Më pas është çështja e Gjeorgjisë, rruga evropiane e së cilës është ndërprerë për shkak të disa ligjeve kundërthënëse të miratuara nga Qeveria aktuale. Seanca dëgjimore e Kosit do të mbahet pas zgjedhjeve parlamentare të Gjeorgjisë më 26 tetor që kanë rol kyç. Prandaj, përfundimisht pritet që ajo të përballet me disa pyetje për këtë shtet.

    Gjeorgjia, tash për tash, nuk përmendet me emër në letrën e misionit, në të cilën thuhet se “ju duhet të zhvilloni një qasje të koordinuar për të mbështetur shtetet në Kaukazin Jugor, përfshirë për lidhjet rajonale”.

    Përfshirja e Gjeorgjisë me një grup me Azerbajxhanin, që është një shtet jodemokratik i cili nuk ka interes që t’i bashkohet BE-së, dhe me Armeninë, që mund të ketë interes të anëtarësohet, por ngurron nga frika se nëse aplikon për anëtarësim në BE, Moska mund të zemërohet, është diçka e çuditshme./rel

    eurodeputetët Marta Kos Parlamenti Evropian
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Dhunë në burgun e Reçit, dy të paraburgosur sulmojnë efektivin dhe dëmtojnë ambientet

    April 19, 2026

    Tragjedi në SHBA/ Tetë fëmijë humbin jetën pas të shtënave në Luiziana

    April 19, 2026

    SHBA drejt marrëveshjes me Iranin? Zyrtari amerikan flet për progres në negociata

    April 19, 2026

    Bayern Munich shpallet kampion i Gjermanisë, shkatërron Stuttgartin dhe vendos rekorde historike

    April 19, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Mundësi të reja në horizont/ Tre shenjat e Horoskopit që do të përjetojnë ndryshime të mëdha deri në fund të Prillit

    Parashikimi i horoskopit për sot, 19 Prill 2026

    Parashikimi i horoskopit 17 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.