Në një lidhje telefonike më News24, pak orë para përballjes historike Shqipëri-Serbi, ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana u shpreh optimist për rezultatin e sotëm.
Në fjalën e tij Cana theksoi se serbët janë të vetëdijshëm se skuadra jonë do t’i mundë në këtë përballje.
Deklarata e Canës është bërë pak çaste para përballjes mes dy vendeve, e në rrjet është marrë si një deklaratë nxitëse për futbollistët e Kombëtares në mënyrë që këta të fundit të përpiqen të rrëmbejnë fitoren.
“Një stadium i jashtëzakonshëm i mbushur me tifozë. Më mirë do ishte sikur të ishin tifozët kuqezi. Aspekti që ka bëjë me faktorin serb dhe atë shqiptar, përderisa nuk kemi gjetur diçka të përbashkët, dihet që raporti do jetë i veçantë. Ky kundërshtar nuk do jetë vetëm dinjitoz, por edhe një kundërshtar i mirë. Trajnerin serb e njohim mirë, është një nga ata që kanë luajtur për Olimpikun e Marsejës. Ai i njeh mirë shqiptarët. Edhe ushtrinë e ka bërë në Kosovë. Ato gjëra që kanë ndodhur tani kanë kaluar, tani gjithçka mbetet në rangun e një beteje. Nuk i druhem ndonjë incidenti, sidomos në vendin tonë. Edhe ata kanë mësuar nga gabimet e tyre. Serbët janë të vetëdijshëm se shqiptarët mund t’i sfidojnë në sport. Mund të fitojmë, kemi mundësinë” u shpreh Cana.


