Instituti i Shëndetit Publik i Maqedonisë së Veriut ka konfirmuar dy rastet e para të lisë së majmunit në vend. Pacientët u testuan pas rekomandimit të Klinikës së Sëmundjeve të Lëkurës, ndërsa krahas lisë së majmunit u kryen analiza edhe për HIV, sifiliz dhe herpes.
Diagnoza u konfirmua përmes tre metodave të ndryshme laboratorike, dhe menjëherë pas rezultateve pozitive, u ndërmorën masat e nevojshme. Të gjitha institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe klinikat përkatëse, u informuan zyrtarisht.
Ekipet epidemiologjike të ISHP kanë nisur hetimin epidemiologjik për të gjurmuar kontaktet dhe për të vlerësuar situatën në terren. Pacientët janë udhëzuar të ndjekin trajtimin dhe mbikëqyrjen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka arsye për panik, pasi situata po menaxhohet në mënyrë profesionale dhe institucionet janë në gatishmëri për të parandaluar çdo përhapje të mëtejshme të virusit.


