Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë dhe Politikave Globale në Londër, vuri në dukje se Bashkimi Europian gjendet në një moment kritik, ndërsa fuqitë aziatike, veçanërisht Kina, po ecin me hapa të shpejtë drejt dominimit ekonomik global.
“Liderët e Europës duhet të dëgjojnë mendjet e ndritura të Azisë, Jugut Global dhe botës arabe, që e shohin Europën si një gjigand të lodhur, të paaftë për t’u zgjuar dhe kuptuar se bota ka ndryshuar,” tha Rama.
Ai shtoi se më pak se 40 vjet më parë PBB e Europës ishte 10 herë më e madhe se e Kinës, ndërsa sot nivelet janë të barabarta. “Në më pak se 10 vjet, Kina do të ketë dyfishin e ekonomisë së Europës,” paralajmëroi kryeministri.
Rama theksoi se Europa duhet të zgjedhë midis plotësimit të projektit të themeluesve të BE-së ose të ndjekë rrugën katastrofike të shembullit të BrExit, që ai e konsideroi si një “vetëvrasje politike të pabesueshme”.
Kreu i qeverisë shtoi se Kina ka depërtuar shpejt në tregjet globale, duke investuar në Afrikë, Siri dhe vende të tjera, ndërkohë që Europa ka ngadalësuar zhvillimin e saj. Ky fenomen nënvizon nevojën për një strategji europiane më të fortë dhe të përbashkët në plan global.


